Secondary Adv

Zjarret përfshijnë Levanin dhe Himarën, qindra forca në terren për izolimin e flakëve

Zjarret vijuan gjatë mbrëmjes në disa zona, me situatën më problematike në Levan të Fierit dhe Himarë.

Në Levan, zjarri i përhapur në disa zona përreth fshatrave të Fierit ka vijuar të jetë nën monitorim nga autoritetet. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi nga terreni se situata mbetet problematike, ndërsa forcat operacionale po punojnë për izolimin e vatrave. Sipas tij, në operacion janë angazhuar mjete ajrore, përfshirë dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.


“Po operohet me të gjitha forcat nga toka”, tha Çako, duke theksuar se prioriteti kryesor i strukturave është mbrojtja e jetës së banorëve dhe vënia nën kontroll e vatrave të zjarrit. Ai kërkoi gjithashtu hetim të rasteve të mundshme të zjarrvënieve të qëllimshme.


Në Himarë, zjarri i përhapur në zonën e banuar ka shkaktuar dëme materiale dhe ka detyruar evakuimin e disa banorëve dhe turistëve për arsye sigurie. Autoritetet raportuan se situata u përmirësua pas mesnatës, ndërsa vijoi puna për shuarjen përfundimtare të vatrave.


Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se në operacionet në zonën e Himarës janë angazhuar rreth 300 forca, përfshirë zjarrfikës, emergjenca civile dhe Forca të Armatosura, si dhe mjete zjarrfikëse.


Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tha se vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin dhe koordinimin e ndërhyrjeve. Strukturat shtetërore kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, pasi kushtet atmosferike dhe temperaturat e larta vijojnë të mbajnë të lartë rrezikun për përhapjen e zjarreve.


Më të lexuarat